Ministri Berisha dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rama nderojnë me medalje atasheun e Mbrojtjes të SHBA-ve, kolonelin Jeffry Fischer

Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë të Kosovës (MFSK), me 1 gusht 2018, është organizuar ceremonia përcjellëse e kolonelit Jeffry Fischer, me rastin e kryerjes së detyrës së atasheut të Mbrojtjes të SHBA-ve. 

Në ceremoni të pranishëm ishin; ministri i FSK-së Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, zëvendësministrat Burim Ramadani dhe Agim Çeku, sekretari i përgjithshëm Shkëlzen Sylaj, gjeneralmajorët Bashkim Jashari, Zymer Halimi dhe Gëzim Hazrolli, komandanti i KFOR-it amerikan në Bondsteel, komandanti i Forcave Tokësore gjeneral brigade Enver Cikaqi, gjeneral brigade Naim Haziri, si dhe zyrtarë të Ministrisë, oficerë të NALT-it, të KFOR-it dhe të FSK-së. 

Ministri Berisha falënderoi SHBA-të për mbështetjen e tyre të pakursyer për  FSK-në dhënë  përmes ODC-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës (IOWA-s. Ministri vlerësoi lart  bashkëpunimin e përhershëm, ndër vite, me Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-ve. Duke iu  drejtuar kolonelit Fisher, ministri u shpreh: ,,I nderuar kolonel Fischer,  të jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për gjithë atë që ke bërë për FSK-në.  Me kontributin tuaj,  mund të themi me plot kuptimin e fjalës se keni fituar një vendlindje të dytë dhe jeni i mirëseardhur në Republikën e Kosovës çdo herë, pavarësisht karakterit të vizitave që do t’i keni ”.  Ministri Berisha, si shenjë nderimi dhe vlerësim për punën e tij, kolonelit Fischer i dhuroi    medaljen “Shërbim  i shquar”.

Gjithashtu edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama falënderoi atasheun e Mbrojtjes të SHBA-ve, kolonelin Jeffry Fischer, për angazhimin profesional gjatë kryerjes së detyrë së tij në FSK. Me këtë rast, komandanti i FSK-së gjeneral Rama i dhuroi medalje për ,Shërbim meritor”, kolonelit Fischer. 

Në fjalën e tij, gjeneral Rama, pos tjerash tha: ,,Me kolonelin Jeffry Fischer filluam bashkërisht  ndërtimin e një koncept të ri.  Rruga të cilën e zgjodhëm, po del të jetë shumë e suksesshme, por ende e papërfunduar. FSK-ja tani është me e besueshme, më gjithëpërfshirëse dhe më e gatshme, falë  edhe punës dhe kontributit tuaj, pa harruar asnjëherë edhe ekipin  tënd. Kolonel Fischer ishe shumë i përkushtuar që FSK-ja të vazhdojë të edukohet, të trajnohet dhe të operojë me disiplinë dhe profesionalizëm. Ju siguroj të gjithëve se të tillë do të  jemi gjithherë”.   

Ndërkaq, koloneli Jeffry Fischer falënderoi ministrin Berisha, gjeneralin  Rama dhe të gjithë stafin e Ministrisë dhe të FSK-së për bashkëpunimin dhe mundësinë që i ofruan për të kontribuar për FSK-në.  Ai u shpreh  se ndjehet shumë i nderuar dhe i lumtur që pati mundësinë të punojë në FSK.  Fjalën e tij koloneli  Fischer e përfundoi me një porosi:,, Vazhdoni të bëni punën tuaj në mënyrën më të mirë të mundshme. S’ka rëndësi a jeni shqiptarë, serbë, romë apo minoritet tjetër i Kosovës. Mos harroni se jeni një ekip i vetëm”.  

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31