Ministri i FSK-së Rrustem Berisha priti në vizitë ministrin e Mbrojtjes të Irlandës z. Paul Kehoe

Sot, ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), z. Rrustem Berisha priti ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Irlandës, zotin Paul Kehoe. Në takimin e përbashkët në mes të dy delegacioneve, ministri Berisha së bashku me ministrin e Republikës së Irlandës, zotin Kehoe biseduan për bashkëpunimin e dyanshëm në mes të Kosovës dhe Republikës së Irlandës, MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Irlandës si dhe për zhvillimet në fushën e sigurisë në Kosovë, rajon  dhe  më gjerë.

Ministri Rrustem Berisha, ka  falënderuar  ministrin e Republikës së Irlandës Paul Kehoe për bashkëpunimin  e deri tashëm dhe për ndihmën që Irlanda ka dhënë dhe po jep për Kosovën, duke e njoftuar me zhvillimet e përgjithshme në Ministri dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Pas takimit të dy ministrat dhanë nga një deklaratë për media. Ministri i FSK-së zoti Rrustem

Berisha në fjalën e tij ndër të tjera tha: ,,Patëm nderin dhe kënaqësinë që ta presim ministrin e Mbrojtjes të Republikës së  Irlandës, z. Paul Kehoe të cilin e njoftuan në pika të shkurta me të arriturat e FSK-së, me progresin e FSK-së, sidomos me integrimin e komuniteteve jo shumicë, pjesëmarrjen e gjinisë femërore në strukturat e FSK-së, me objektivat dhe synimet tona si dhe  me procesin e transformimit të FSK-së në FAK. Në të njëjtën kohë e falënderuam ministrin e mbrojtjes Kehoe, për mbështetjen dhe për përkrahjen që na kanë dhënë në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe sidomos pas luftës, e  që vazhdojnë të japin edhe tani në kuadër të KFOR-it. Gjithashtu e falënderuam ministrin për faktin që Irlanda ka qenë ndër të parët që e ka njohur pavarësinë Kosovës. Biseduam edhe për avancimin e bashkëpunimit të dy ministrive në fushën e sigurisë dhe për  modelet e bashkëpunimit,  dhe se shumë shpejtë do ta nënshkruajmë memorandumin e bashkëpunimit në mes të dy ministrive në fushën e sigurisë”.

Ndërsa, ministri i Republikës së Irlandës z. Paul Kehoe falënderoi ministrin Berisha për pritjen e përzemërt dhe  para mediave ndër të tjera deklaroi: ,,Jam i nderuar që jemi siç e përmendi ministri Berisha, ndër vendet e para që kemi njohur Pavarësinë e  Kosovës. Është vizita e ime e parë në Kosovë, qëllimi i saj ishte vizita e pjesëtarëve të KFOR-it Irlandez, gjithashtu kam nderin që të jem këtu në mesin e juaj. Me  ministrin biseduam për çështje të ndryshme siç është liberalizimi i vizave, integrimi në Bashkimin Evropian, në Kombet e Bashkuara etj.

Ne do të ju afrojmë ndihmën tonë të pakursyer në këto procese, dhe do të jemi gjithmonë pranë jush posa ti plotësoni kërkesat relevante. Gjatë rrugëtimit e pashë që Kosova ka një të ardhme të ndritshme bazuar në progresin e bërë. Me ministrin biseduam edhe për avancimin e bashkëpunimit, veçanërisht në përgatitjen e memorandumin të bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive”.    

Në takim të pranishëm ishin edhe Shkëlzen Syla, sekretar i Përgjithshëm në MFSK, Jashar Ramadani shef i Kabinetit të Ministrit, majori Hisen Berisha këshilltar ushtarak i Ministrit, znj. Zoja Lleshi-Berisha këshilltare politike e Ministrit, Ilir Murtezi këshilltar politik i Ministrit, Sinan Geci nga Departamenti për Bashkëpunim dhe Siguri, Ibrahim Shala Departamenti për Marrëdhënie me Publikun kurse nga delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes të Irlandës, ministrin e shoqëronin; z. Pat Kelly ambasadori i Irlandës, Maurice Quinn sekretar i Përgjithshëm, John Coughlan këshilltar i Ministrit, znj. Cliona O’Sullivan sekretare private e Ministrit, zv.admiral Mark Mellett shef i stafit në Ministrin e Mbrojtjes dhe Deirdre Carbery kapiten. 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
   1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30