U mbajt takimi informues për vlerësimin e ushtrimit fushor ,,Shqiponja 6”

Në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në Ferizaj, me një audiencë të gjerë të aktorëve pjesëmarrës të ushtrimin fushor ,,Shqiponja 6”, është mbajtur takimi  informues lidhur me vlerësimin e raportit përfundimtar të këtij ushtrimi.

Në këtë takim, të gjithë aktorët pjesëmarrës të ushtrimit janë informuar në pika të shkurtra mbi të gjeturat e ushtrimit, mësimet e mësuara si dhe të gjeturat tjera në të gjitha fazat që nga planifikimi, ekzekutimi dhe  vlerësimi.

Në këtë aktivitete të pranishëm ishin komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i KFOR-it gjeneral Salvatore Cuoci, gjeneralët e FSK-së, komandantët e të gjitha njësive të FSK-së, atashetë ushtarakë të vendeve pjesëmarrëse në ushtrim, agjencitë vendore të sigurisë dhe emergjencave, këshilltarë të NALT-it, oficerë dhe nënoficerë të FSK-së dhe KFOR-it.

Në hapje të takimit, drejtori i ushtrimit fushor gjeneral brigade Naim Haziri përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për mbështetjen të gjithë partnerët dhe agjencitë  vendore të sigurisë dhe të emergjencave, të cilët ishin pjesëmarrës dhe mbështetës  të ushtrimin fushor ,,Shqiponja 6” në të gjitha fazat, që nga planifikimi, ekzekutimi dhe tani vlerësimi i  ushtrimit. “Unë si drejtor i ushtrimit besoj se të gjithë së bashku  kemi arritur ta përmbushim qëllimin e këtij ushtrimi  në të gjitha fazat”.

Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneral brigade Irfete Spahiu theksoi se “KDS-ja është njësia kryesore e cila mbështet të gjitha ushtrimet e FSK-së. Edhe ushtrimin fushor ,,Shqiponja 6”  KDS-ja e ka mbështetur në të gjitha fazat që nga planifikimi; trajnimin e forcës opozitare, vëzhguesit dhe kontrolluesit. Tani barra kryesore e KDS-së është vlerësimi i ushtrimit “Shqiponja 6 “ dhe  mësimet e nxjerra nga ky ushtrim.

Ekipi i Vëzhgues i Kontrolluesve, i përbërë nga pjesëtarët e FSK-së dhe partnerët pjesëmarrës të ushtrimit, ka përcjellë të gjitha vlerësimet dhe ka identifikuar mësimet e mësuara.

Major Naim Sylejmani, shefi i ekipit të vlerësuesve dhe kontrolluesve, bëri një përmbledhje të të gjeturave gjatë të gjitha fazave të ushtrimit fushor, për të gjitha njësitë e angazhuara në ushtrim, duke u fokusuar në të arriturat që kanë qenë edhe objektiv i komandantit të FSK-së,   pastaj çështjet të tjera që kanë nevojë për përmirësime dhe rekomandime, të cilat do të hynë në procesin e mësimeve të mësuara, që në ushtrimin e radhës do të jenë në objektiv për eliminim.

Komandanti i Forcave Tokësore gjeneral brigade Enver Cikaqi foli për punën e mirë që është bërë me realizimin e ushtrimit, duke vlerësuar rolin e madh të agjencive vendore të sigurisë dhe emergjenca, partnerëve dhe KFOR-it

Në ditët në vijim do të marrim edhe raportet tjera të vlerësimit nga NALT-i dhe Ajova (IOWA), dhe pas përmbledhjes do të nxjerrim raportin për zbatimin dhe futjen e tyre në planin e trajnimeve për vitin 2019, i cili është në proces.

Në vazhdim të takimit u bënë komente nga të pranishmit duke vlerësuar punën dhe realizmin me sukses të ushtrimit.

Komandanti i FSK-së gjeneral Rama theksoi se është obligim ynë si institucione që kapacitetet tona vendore t`i bashkërendojmë aktivitetet tona, dhe së bashku me partnerët të bëjmë një vlerësim real që në situata të vërteta të reagojmë së bashku në afate sa më të shpejta ku do që kërkohet si brenda dhe jashtë.

Vlerësimi sa më real do të na ndihmojë që në të ardhmen të përmirësojmë mangësitë në ushtrimet e radhës.

“Kemi biseduar me komandantin e KFOR-it që ushtrimi i radhës ,,Silver Sabre” të jetë i koordinuar dhe të ndodhë në kohën e ushtrimit fushor ,,Shqiponja 7”. Ne tanimë i kemi dhënë udhëzimet për fillimin dhe planifikimit e tij, që pritet të ndodhë në vitin 2020. I gjithë planifikimi është bërë bazuar në standardet e NATO-s dhe është mbështetur nga partnerët, kjo ka ndikuar që ne të jemi mirë të bashkërenduar me partnerët dhe të arrijmë suksese.

Në fund të ceremonisë komandanti i FSK-së, gjeneral Rama ndau mirënjohje për pjesëmarrësit në ushtrim; KFOR-in, Policin e Kosovës, Kryqin e Kuq dhe njësitet e FSK-së pjesëmarrëse në ushtrim.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
   1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30