Forca e Sigurisë së Kosovës pjesë e aksionit për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit

Forca e Sigurisë së Kosovës vite me radhë ka mbështetur aksionet për pastrimin e mjedisit kudo në Kosovë. Edhe kësaj radhe, FSK-ja ka angazhuar personel dhe pajisje xheniere në mbështetje të aksionit me moton “Ta pastrojmë Kosovën”, në shënimin e Ditës  Ndërkombëtare  të Mjedisit.

Manifestimi qendror për shënimin e kësaj dite u mbajt në fshatin Plemetin të Obiliqit, ku të pranishëm ishin ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor znj Albena Reshitaj, kryetari i Komunës së Obiliqit z. Xhafer Gashi, komandanti i Forcave Tokësore gjeneral brigade Enver Cikaqi, komandanti i Brigadës së Mbështetjes Operacionale gjeneral brigade Naim Haziri, ambasadori i Gjermanisë z. Christian Heldt, komandanti i Policisë së Kosovës për Obiliqin z. Sejdi Zeqiri, organizatori i kësaj ngjarjeje Luan Hasanaj, nxënës dhe qytetarë të shumtë të  Komunës  së Obiliqit.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Znj Albena Reshitaj iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë: “Urime dita e mjedisit. Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” ka ndikuar që të pastrojmë dhe gjelbërojmë mjedisin në tërë territorin e Kosovës. Sot kemi vendosur që të vijmë pikërisht këtu, në vendin me të ndotur që ta pastrojmë dhe ta gjelbërojmë, duke dhënë kështu edhe një mesazh si institucione dhe si shoqëri civile se si duhet ta ruajmë, ta mbajmë të pastër dhe ta gjelbërojmë vendin tonë. Me këtë, ne po tregojmë se po kujdesemi për fëmijët tanë dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Obiliqit z. Xhafer Gashi, duke falënderuar FSK-në për mbështetje të vazhdueshme me projekte të ndryshme pastrimi, ndër tjera, para të pranishmëve u shpreh: “Obiliqi është njëra ndër komunat më të ndotur në Evropë, duke marrë parasysh se  këtu kemi Termocentralin, Deponinë rajonale të mbeturinave dhe shumë ndotës të tjerë, andaj kërkoj  vëmendje nga të gjitha strukturat e shtetit që të na mbështesin në përkujdesjen dhe ruajtjen e mjedisit të komunës sonë”.

Në fjalën e tij, komandanti i Forcave Tokësore gjeneral brigade Enver Cikaqi theksoi: “ Sot kam kënaqësinë që së bashku me ushtarë, nënoficerë dhe oficerë po e mbështesim këtë aksion në shërbim të qytetarëve tanë. Obiliqi ka qenë dhe vazhdon të mbete prioritet ynë.
Urime Dita Ndërkombëtare e Mjedisit, uroj që të kemi një ambient më të pastër në të gjithë Kosovën”.

Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë Christian Heldt pasi që falënderoi për ftesën, tha se  kjo ftesë për të është shumë e rëndësishme, ashtu siç është i rëndësishëm edhe ambienti i pastër. ‘’Mesazhi që po jepni ju këtu është mesazh i së ardhmes për ambientin. Falënderojmë  institucionet që janë këtu, në veçanti FSK-në, dhe të gjithë ju që po jepni kontributin tuaj për një ambient sa më të pastër”.

Organizatori i manifestimit z Luan Hasanaj i  falënderoi të gjithë për mbështetjen e këtij aksioni. “Pjesëmarrja e juaj sot këtu, institucione dhe qytetarë, tregon se sa i rëndësishëm është ambienti, prandaj ju bëj thirrje të gjithëve që ta ruani dhe ta mbroni ambientin tuaj në të mirë të gjithë qytetarëve. Urime Dita Ndërkombëtare e Ambientit”.

Në fund nga ministrja e Mjedisit u ndanë mirënjohje për të gjitha institucionet që kanë ndihmuar në realizimin e këtij aksioni.

 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
   1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30