Ministri Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama të shoqëruar edhe nga stafi i lartë i Ministrisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, morën pjesë në manifestimin tradicional “Ditët e Shqipes“ që i kushtohet të rënëve të “Brigadës 138 Agim Ramadani”, dhe betejës së UÇK-së në Koshare.

Manifestimi “Ditët e shqipes” u organizua nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Në këtë manifestim morën pjesë mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe kryetari i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj.

Fillimisht ministri Berisha dhe gjenerallejtënant Rrahman Rama, bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve të Kompleksit Memorial në Koshare, si dhe takuan familjarët e dëshmorëve, të cilëve, gjatë bisedës u shprehën mirënjohje për veprën sublime të dëshmorëve të rënë në altarin e lirisë. 

Ministri i FSK Rrustem Berisha në kuadër të manifestimit mbajti  fjalën e tij si  ish-komandant i “Brigadës 138–Agim Ramadani” të UÇK-së, duke ju drejtuar pjesëmarrësve të manifestimit tha: “Jemi mbledhur këtu, sikur çdo vit, më 9 prill, për të kujtuar të rënët e gjallë, të cilët me pushkë në dorë e bënë atë që gjenerata të kësaj toke kishin pritur për gati një shekull”.                         

“Agimi, Salihu, Xhemajli, Abazi, Aliu e 109 shokët e pushkës të cilët prehen në këtë lendinë e kanë dhënë maksimumin në jetën e kësaj bote, para se të shkojnë në amshim” kështu i përkujtoi bashkëluftëtarët, z. Berisha. 

Duke folur për Betejën e Koshares, ministri Berisha tha: “Këtu u luftua nga Rrasa e Zogut e deri në Morinë, nga Bjeshkët e Padeshit e deri te livadhi i Shabanit, e më tutje. Këtu u luftua ditë për ditë, në borë e shi, e në breshërinë e plumbave e predhave të armikut”.                                      

Ministri Berisha, në fund, duke iu drejtuar të pranishmëve tha se:” Jam krenar për të gjithë ata djem dhe vasha, që me kontributin e tyre kolosal ishin thelbi i suksesit të Betejës së Koshares”. “Jam krenar që patëm mbështetjen e Malësisë së Gjakovës. Secili luftëtar i Betejës së Koshares, do të jetë falënderues përgjithmonë për këtë. Unë dhe gjithë bashkëluftëtarët e mi, jemi krenar që këtu, patëm mbështetjen e gjithë kombit tonë. Luftës sonë iu bashkuan pushkët nga të gjitha trojet shqiptare. Ne jemi krenar që, Kosharja u bë pikë bashkimi dhe burim i forcës, për gjithë UÇK-në”.                                                                                                                                           

Duke folur për sfidat e sotme ai më tej vazhdoi.  “Të gjithë ne këtu, si dhe të gjithë ata që na përcjellin përmes ekraneve televizive, e dimë që Ushtria e Kosovës, nuk ka alternativë dhe është një detyrim, të cilin ia kemi borxh gjeneratave të ardhshme të këtij vendi. Por, ushtria e së ardhmes, nuk do të jetë e mirëfilltë, nëse nuk kujdesemi për ata të cilët janë ushtria e së kaluarës”. “Është detyrë e jona e përbashkët që të kujdesemi, që të gjitha këto, të bëhen duke ruajtur kujtesën historike e duke respektuar vlerat madhore, të cilat janë në themelet e këtij shteti.” 

Manifestimi u përmbyll me një program të pasur artistike, me këngë dhe recitime me tematikë nga Beteja e lavdishme e Koshares dhe heroizmi i të rënëve në luftën çlirimtare.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
     1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31