Ministri Berisha kërkoi anëtarësimin e plotë të Kosovës në iniciativën “SHBA-Karta e Adriatikut-A5”

Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Rrustem Berisha, gjatë punimeve të Konferencës  “SHBA-Karta e Adriatikut-A-5”, që po mbahet në Ohër të Republikës së Maqedonisë, u paraqit me një ekspoze për zhvillimet aktuale në FSK-së dhe planet për të ardhmen e MFSK/FSK-së -si dhe zhvilloi takime dypalëshe me ministrat e Mbrojtjes të Malit të Zi, Maqedonisë, Bullgarisë dhe Republikës së Kroacisë.
 
Me këtë rast, ministri Berisha, para ministrave të Mbrojtjes të vendeve pjesëmarrëse në konferencë foli për zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së, pjesëmarrjen e njësive dhe pjesëtarëve të saj në shkollime, trajnime, ushtrime ndërkombëtare dhe për rezultatet e arritura si ato  kolektive dhe individuale.
 
Gjithashtu, ministri Berisha  theksoi edhe rëndësinë që ka për FSK-në dhe Kosovën partneriteti me Gardën Kombëtare të Ajova-s të SHBA-ve, pastaj marrëdhëniet dypalëshe me shumë prej shteteve të NATO-s dhe të rajoni, si shkëmbimet dhe ndërveprimet e vazhdueshme me partnerët strategjikë dhe shumë shtete tjera.
 
Ministri Berisha u fokusua edhe tek çështja e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura.

“Qasja jonë si Ministri, por edhe si Qeveri e Republikës së Kosovës është që pjesë e procesit të transformimit të FSK-së të jenë edhe komunitetet jo-shumicë që jetojnë në Kosovë, e në veçanti komuniteti serb, pasi kjo e lehtëson procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe gjithashtu e përshpejton atë’’, -tha ai.

Në fund të fjalës së tij, ministri Berisha, theksoi kërkesën e Republikës së Kosovës për anëtarësim me të drejta të plota në kuadër të iniciativës “SHBA-Karta e Adriatikut-A5”, si dhe në iniciative tjera rajonale.
 
“Po punojmë drejt përfshirjes në të gjitha iniciativat rajonale; duke përfshirë këtu edhe anëtarësimin e plotë në iniciativën e Kartës së Adriatikut-A5, anëtarësimin në RACVIAC, bashkëpunimin e zgjeruar me NATO-n, e deri në anëtarësimin e plotë në strukturat euro-atlantike, që është edhe synim strategjik i Republikës së Kosovës’’, tha ministri Berisha.

 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31