Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha priti në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralin Giovanni Fungo

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), zotëri Rrustem Berisha priti sot, për herë të parë në takim, komandantin e KFOR-it, gjeneralin Giovanni Fungo.

Në takimin e ministrit Berisha dhe gjeneralit Fungo u bisedua për situatën e sigurisë në vendin tonë dhe gjithashtu për bashkëpunimin e mirë ndërmjet Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Trupave Paqeruajtëse të KFOR-it, si dhe për planet dhe aktivitetet konkrete për bashkëpunim në të ardhmen.

Me këtë rast, ministri Berisha u shpreh se, gjatë mandatit të tij do të angazhohet që t’i avancojë më tutje marrëdhëniet e shkëlqyera të kultivuara deri më tani në mes të Ministrisë për FSK dhe KFOR-it.

Po ashtu, ministri Berisha tha se, krahas zhvillimit dhe avancimit të FSK-së është duke u punuar edhe në planin për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, dhe se kjo do të bëhet me konsensus të plotë me faktorin e brendshëm dhe në bashkëpunim me partnerët strategjikë, duke qenë transparent në çdo hap të procesit.

Nga ana e tij, komandanti i Trupave Paqeruajtëse të KFOR-it, Giovanni Fungo tha se, KFOR-i dhe FSK-ja kanë raporte bashkëpunimi shumë konkrete, jo vetëm me takime e shkëmbime  zyrtare por edhe me ushtrime dhe aktivitete tjera të përbashkëta fushore, në të cilat njësi të veçanta të KFOR-it dhe të FSK-së po kryejnë stërvitje të përbashkëta.

Në fund, gjenerali Fungo njoftoi se, janë në prag të përfundimit të procesit të planifikimit për disa aktivitete konkrete të përbashkëta, të cilat do të realizohen në bashkëpunim KFOR-FSK, dhe se, bashkëpunime të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
     1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31