Agim ÇEKU - Zëvendëministër -

Gjenerallejtënant (i pens.) AGIM ÇEKU

Zëvendësministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës
                                                
Gjeneral Agim Çeku është ushtarak i karrierës me më shumë se 22 vite shërbim. Si ushtarak ka shërbyer në: ish Armatën Jugosllave, Ushtrinë Kroate, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.

Gjeneral Agim Çeku ka gjithashtu një karrierë të pasur politike. Ka qenë Kryeministër i Kosovës, Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ai e filloi jetën ushtarake si nxënës në Gjimnazin Ushtarak në Beograd të cilin e ka mbaruar në vitin 1979 dhe më pas ka vijuar studimet në akademitë ushtarake, fillimisht në Beograd e pastaj në Zarë të Kroacisë, ku diplomon në vitin 1984 si oficer artilerie me gradën Nëntoger. Në ish-Armatën Jugosllave ka shërbyer deri në vitin 1991 në detyrat Komandant Togu e Komandant Kompanie deri në gradën Kapiten.

Me të filluar lufta në Kroaci (në vitin 1991) largohet nga Armata Jugosllave dhe i bashkohet Gardës Kombëtare të Kroacisë. Gjatë luftës atdhetare të popullit kroat për liri dhe pavarësi (1991 – 1995) kreu detyra të rëndësishme nga Komandant Kompanie deri tek Shef i Shtabit i Korparmatës. Për kontributin e dhënë në luftë dhe për drejtimin dhe komandimin e suksesshëm të njësive u gradua disa herë, për të arritur deri në gradën Brigadier (Gjeneral Brigade) në vitin 1995. Gjithashtu është dekoruar me dekoratat më të larta nga Presidenti i Republikës së Kroacisë. Në Ushtrinë Kroate ka shërbyer deri në shkurt të vitit 1999. Në Kroaci e ka statusin e invalidit dhe të veteranit të luftës atdhetare.

Që nga viti 1997 ka qenë këshilltar ushtarak i udhëheqësve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në këtë cilësi ka qenë edhe pjesëmarrës në Konferencën e Rambujesë. Me të kuptuar se do të ndodhte një luftë më e ashpër në Kosovë, pas refuzimit të marrëveshjes së Rambujesë nga pala serbe, ai largohet nga Ushtria Kroate dhe kthehet në Kosovë për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mars të vitit 1999, kur edhe emërohet Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e udhëhoqi gjatë luftës dhe deri në transformimin e saj në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. Nga viti 1999 deri më 2006 ka qenë Komandant i Përgjithshëm i TMK-së me gradën Gjenerallejtënant. Për kontributin e dhënë gjatë luftës dhe në paqe është dekoruar disa herë nga Kryeministri dhe Presidenti i Kosovës si dhe ka marrë shumë mirënjohje nga zyrtarë të shumtë ndërkombëtarë. Është veteran-luftëtar i UÇK-së.   

Karrierën ushtarake e përfundon në shkurt të vitit 2006, kur faktori politik vendor dhe ai ndërkombëtar i kërkojnë të merrte drejtimin e Qeverisë së Kosovës me qëllim që në procesin e bisedimeve për statusin final të Kosovës dhe përgatitjes së saj për Pavarësi të ruhej stabiliteti i brendshëm politik. Pozitën e Kryeministrit e mbajti deri në fund të mandatit të rregullt të Qeverisë, Janar 2008.

Nga viti 2008 Gjeneral Çeku vazhdoi angazhimin e tij politik në Kosovë. Gjatë periudhës 2011 – 2014 ai shërbeu si Ministër i FSK-së. Gjatë ushtrimit të kësaj detyre, në cilësinë e kryesuesit të Komitetit Drejtues udhëhoqi procesin e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë dhe përgatiti Forcën e Sigurisë së Kosovës për transformim në Forca të Armatosura të Kosovës. Në periudhën 2014 – 2017 ishte deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Aktualisht është zëvendësministër në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Gjeneral Agim Cek ka lindur më 29 tetor 1960 në fshatin Qyshk të Komunës së  Pejës. Është shtetas i Republikës së Kosovës dhe shtetas i Republikës së Kroacisë.

Përveç gjuhës amtare – shqipes, flet rrjedhshëm gjuhën angleze, serbe dhe kroate.

Ai ka pesë fëmijë, një vajzë dhe katër djem.
 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
  1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30

KOSOVO IN UNESCO