Turqia e mbështet fuqishëm FSK-në

Prishtinë,  08 shkurt 2013 - Në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë të Kosovës, sot për një vizitë zyrtare qëndroi ministri i Mbrojtjes i Ushtrisë së Turqisë Ismet Yelmaz, i cili u prit me nderime të larta nga Togu i Nderit si dhe Orkestra Frymore e FSK-së, e cila ekzekutojë himet e të dyja shteteve.

Pas fotografisë së përbashkët, në hollin e Ministrisë, të dy ministrat biseduan kokë më kokë, për të vazhduar takimin e përbashkët në nivelin e zgjeruar të dy delegacioneve.

Në takim morën pjesë edhe zv. ministri i FSK-së Shemsi Veseli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, gjeneralët: Zymer Halimi dhe Bashkim Jashari, sekretari i Përgjithshëm Shkëlzen Sylaj, drejtori i Drejtorisë për Politika dhe Plane, Haxhi Shala, Shemsi Syla, këshilltar politik i ministrit për FSK-në dhe nënkolonel Hasan Hoxha zv. shef i Departamentit për Siguri dhe Bashkëpunim, ndërsa në delegacionin e Turqisë merrnin pjesë ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, zonj. Songul Ozan, Rifat Sait anëtar i Kuvendit të Turqisë, gjeneralbrigade Rafet Sashmaz, zv. Shef i Planeve të Përgjithshme dhe Politikave, kolonel Ibrahim Nuhoglu shef i Kabinetit, Osman Jildririm atashe, zonj. Bahar Ozkan këshilltare për çështje politike, etj. 

Ministri i FSK-së, Agim Çeku pasi i ka dëshiruar mirëseardhje homologut të tij,z. Ismet Yilmaz, e ka falënderuar Turqinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes për ndihmat që po japin për Kosovën dhe FSK-së. Ministri Çeku, gjatë takimit e ka njoftuar ministrinë Yilmaz, për të arriturat e FSK-së, bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe planin e zhvillimit, për vitin 2013. Pas takimit të përbashkët në nivel të dy delegacioneve, në konferencën për media, ministri Agim Çeku, tha; “Unë fillimisht e falënderova ministrin Yilmaz, për gjithë kontributin e madh që kanë dhënë dhe po japin në ndërtimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës si dhe në procesin e shtet formimit dhe të integrimit të Kosovës, në të gjitha organizmat ndërkombëtare, si BE, NATO, OKB, etj.

Mbështetja e tyre ka qenë shumë konkrete shumë e vlefshme dhe në të ardhmen shumë e nevojshme”. Turqia ka qenë dhe është një mbështetës jashtëzakonisht i fuqishëm i Kosovës, nëpër të gjitha krizat që ka kaluar Kosova drejt realizimit të synimeve tona.

Turqinë e kemi pasur pranë që nga formimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Turqisë kanë qenë një ndër shtetet më të mëdha që kanë ndihmuar në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së. Ministrin e Mbrojtjes së Turqisë e informova edhe për të arriturat e FSK-së, deri në këtë periudhë, për objektivat tona që i kemi për vitin 2013, për ecurinë e rishikimit të procesit të FSK-së dhe sfidat që po kalojmë këtë proces për angazhimin tonë të përditshëm në ndihmë institucioneve mbrojtëse civile dhe qytetarëve të Kosovës. Sa i përket bashkëpunimi bilateral ne e kemi një marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë, marrëveshje e cila na afron hapësirë dhe mundësi të mëdha për bashkëpunim sidomos në shkollimin, edukimin e oficerëve dhe nënoficerëve tanë, ku  deri më tash, kanë kaluar gjithsej 140 pjesëtarë nëpër shkollat ushtarake të Turqisë dhe momentalisht i kemi edhe 14 pjesëtarë, ku  6 prej tyre që janë duke vijuar Akademinë Ushtarake në Turqi, për pilotë të helikopterëve etj.

Ne shumë shpejt do t’i kemi edhe këto kapacitete, në FSK. Gjithashtu, me Turqinë e kemi një marrëveshje në fushën e industrisë ushtarake dhe çdo vit përfitojmë një shumë të konsiderueshme të mjeteve financiare të cilat i shfrytëzojmë për blerjen e pajisjeve tona nga industria ushtarake e Turqisë. Kemi filluar të pajisemi edhe me autoblinda, tash për tash i kemi dy dhe shumë shpejtë do t’i kemi edhe tri autoblinda, dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim. Është një lajm i mirë që na dha ministri Turk, dje Parlamenti i Turqisë e ka aprovuar edhe një ndihmë financiare për FSK-në. Për të qenë bashkëpunimi bilateral sa më i suksesshëm ne vendosëm që të shkëmbejmë edhe atashe ushtarak në ambasadat tona, në Turqi.  Biseduam edhe për përfshirjen e FSK-së në kuadër të tyre, në operacione paqeruajtëse, ku janë të angazhuar.

Në rrafshinë ndërkombëtar Turqia si ushtria e dytë për nga numri është zë i fuqishëm në kuadër të NATO-s, ju e dini se NATO është duke diskutuar për FSK-në dhe ne kërkuam nga përfaqësuesi i tyre që NATO, t’i përshpejtojë këto procese, sa ma shpejt, t’i aprovojë kapacitetet tona operacionale, të vendosë për raportet formale në mes FSK-së dhe NATO-s dhe mes Kosovës dhe t’i jap mundësi FSK-së që jetë pjesë e operacioneve të udhëhequra nga NATO, ta mbështet FSK-në, në një forcë i duhet Kosovës por i duhet edhe NATO-s, gjithashtu.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes së Turqisë, z. Ismet Yilmaz falënderoi ministrin Çeku, për të shtuar;  “Ne, në takimin e përbashkët, biseduam për marrëdhëniet ndër shtetërore për bashkëpunimin tonë dhe për ngjarjet rajonale. Ne gjithashtu biseduam edhe për dialogun dhe e përkrahim këtë, dera e dialogut nuk duhet mbyllur asnjëherë, pasi pakënaqësitë e reja mund të sjellin edhe armiqësi të reja. Për neve ruajtja e integritetit territorial të Kosovës dhe sovranitetit politik i Kosovës është jetik dhe gjithsesi duhet të përkrahet dhe mbrohet.

Ne besojmë se Kosova së shpejti do ta zërë vendin e saj, në komunitetin ndërkombëtar. Turqia e shpreh përkrahjen e saj në të gjitha sferat për Kosovën.

Kosova është një vend i pavarur dhe i barabartë i Ballkanit. Republika e Kosovës duhet të ketë ushtrinë e vet ashtu si e kanë të gjitha shtetet e pavarura dhe sovrane. Ai ka premtuar se Turqia do ta mbështesë në vazhdimësi Forcën e Sigurisë së Kosovës në rrugën e saj, drejt transformimit në ushtri të rregullt.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30