FSK-ja dhuron gjak për herë të dytë brenda vitit

Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sot filloi aksioni tradicional humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, me moton ,,një pikë gjak për shpëtimin e një jete”, për nevojat e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës, nga pjesëtarët e FSK-së dhe shërbyesit civilë të MFSK-së.

Aksionit, si gjithherë, edhe sot  i janë  përgjigjur një numër i konsiderueshëm i dhuruesve të gjakut. Vetëm në dy orët e para numri i dhuruesve kishte arritur në 24,  numër ky që parashihet të rritet,  bazuar në radhët e pjesëtarëve që prisnin për t'i kaluar procedurat normale të ofruara nga ekipet mjekësore.

Në mesin e dhuruesve të gjakut janë edhe oficerët e lartë të FSK-së, ndër të cilët  është edhe gjeneral major Gëzim Hazrolli,  i cili pa hezitim i është përgjigjur aksionit për të dytën herë brenda këtij viti.  Ai me këtë rast tha: ,,Ashtu siç është edhe misioni i institucionit, përgjigje në raste emergjente, ashtu është edhe motoja jonë: Të dhurojmë gjak për të shpëtuar jetë njerëzish, jetën e qytetarëve tanë në rast nevoje. Bashkëpunimi i MFSK-së dhe FSK-së me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës  është shumë i mirë dhe ne si FSK çmojmë lart misionin e QKTGJK, prandaj edhe aksioneve të tilla u përgjigjemi gjithmonë”.

Si të gjitha aksionet për dhurimin  e gjakut, edhe  ky i sotmi është organizuar në bashkërendim të plotë të Departamentit të Mjekësisë dhe Departamentit për Bashkëpunim Civilo- Ushtarak të MFSK-së me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës.

Aksioni për dhurimin vullnetar të gjakut, i filluar sot në Ministri, sipas planit do të vazhdojë në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës deri më 11 shtator 2018.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
     1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30