FSK-ja nderoi me medalje atasheun e Mbrojtjes së SHBA-së, majorin Juan Murillo

Në auditorin e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), sot u organizua ceremonia përcjellëse, me rastin e kryerjes së detyrës së atasheut të Mbrojtjes të SHBA-së, e  majorit Juan Murillo.

Të pranishëm në ceremoni ishin; ministri i FSK-së Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendësministri Agim Çeku, sekretari i përgjithshëm Shkëlzen Sylaj, gjeneralmajori Zymer Halimi, gjeneral brigade Enver Cikaqi, gjeneral brigade Irfete Spahiu, gjeneral brigade Naim Haziri, atasheu ushtarak i SHBA-së, kolonel Jeffrey Fisher si dhe zyrtarë të ministrisë, oficerë të NALT-it, të KFOR-it dhe të FSK-së.

Ministri i FSK-së zoti Berisha, pasi  përshëndeti të pranishmit e falënderoi atasheun ushtarak të SHBA-së majorin Juan Murillo për kontributin, përkushtimin dhe angazhimin profesional gjatë kohës së shërbimit të tij në MFSK.  

Më tej, ministri Berisha u shpreh: ,,Ky takim është organizuar për nder të atasheut të Armatës së SHBA-së, majorit Juan Murillo, i cili po e përmbyll misionin e tij dy vjeçar në mbështetje të MFSK/FSK-së, duke ofruar asistencë profesionale dhe duke zbatuar politikat e shtetit më të fuqishëm në botë, aleatit dhe partnerit tonë kryesor strategjik, sponsorit të lirisë dhe shtetit që po e ndërtojmë sot”. 

Ministri Berisha duke iu drejtuar atasheut të Mbrojtjes, tha:,, Me sado shumë fjalë që përpiqem t’ju vlerësoj Ju dhe punën Tuaj të çmuar që keni bërë për Forcën e Sigurisë së Kosovës gjatë këtij mandati, nuk do të mund t’i themi më mirë nga sa thonë vet gjurmët e punës Tuaj profesionale në procesin e ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Ne jemi të inkurajuar në ketë proces për shkakun se mbështetja e SHBA-së në vazhdimësi na obligon që shumë shpejt të jemi kontribuues në ndërtimin dhe mbështetjen e paqes në vendin tonë, rajon dhe në botë, si objektiv yni i përbashkët”.

Ministri Berisha, edhe një herë në emër të MFSK-së, FSK-së dhe popullit të Kosovës e falënderoi majorin Murillo, duke i uruar shëndet dhe karrierë të suksesshme, ndërsa pasardhësit të tij, majorit Christopher  Connor, pasi i dëshiroi mirëseardhje, kërkoi nga ai që të vazhdohet puna me performancë e njëjtë.

Në fund ministri Berisha i dhuroi atasheut të Mbrojtjes majorit Murillo, mirënjohje dhe një dhuratë simbolike, që siç u shpreh ministri: ,, është ikonë e identitetit tonë, e cila shpresojmë të zërë vend në koleksionin e dhuratave të çmuara prej Jush”.

Gjithashtu edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama falënderoi atasheun e Mbrojtjes të SHBA-së, majorin Juan Murillo, për angazhimin profesional që ka dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, i dhuroi medalje për Shërbim Meritor atasheut të Mbrojtjes, majorit Juan Murilo.   

Ndërkaq, atasheu i Mbrojtjes, majori Juan Murillo, falënderoi ministrin Berisha, komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramën,  si dhe të gjithë stafin e ministrisë dhe FSK-së, për bashkëpunimin dhe mundësinë që i afruan për të kontribuar për FSK-në. Ai veç tjerash shtoi: ,,Gjatë këtyre tri viteve kam mësuar shumë në lidhje me FSK-në dhe jam munduar të jap kontributin tim në avancimin dhe zhvillimin e FSK-së.

Para së gjithash, dua të falënderoj FSK-në për organizimin e kësaj ngjarjeje dhe jam i nderuar  me gjithë këtë pjesëmarrje sot”. 

Majori Murillo falënderoi ministrin Berisha, gjenerallejtënant Rrahman Rama, kolonelin Jefrry Fischer, majorin Lewers, për fjalimet e tyre dhe fjalët e mira, duke shtuar se: ,,Unë jam i nderuar që kam pasur rastin të kontribuoj në FSK dhe Kosovë. Asnjë nga këto kontribute nuk do të ishin të mundura pa njerëzit e mëdhenj që qëndruan pranë meje. Ju ishit udhërrëfyesit dhe motivuesit e mi. Unë pashë një komb të ri, që me zjarr i dëshiron idealet demokratike dhe pash një Forcë Sigurie që përpiqej të kontribuon në sigurinë globale. Kush nuk do të frymëzohej nga kjo? Pra, faleminderit të gjithëve, që po  përpiqeni t’i bëni gjërat sa më mirë për  gjeneratat e ardhshme. E gjithë kjo është me të vërtetë një testament për të gjithë ju. Kur të largohem nga këtu, gjithmonë do të kem një vend të veçantë për Kosovën në zemrën time.  Pas 16 vjetësh shërbimi ushtarak, në Kosovë gjeta shtëpinë time të dytë. Para tri vitesh erdha vetëm, tani po largohem me gruan, vajzën dhe dy qen. Kosova më siguroi shtëpi dhe një familje. Do të doja të përfundoja me këtë. Mos u zhgënjeni dhe mos e humbisni besimin në të ardhmen. Vazhdoni të besoni në misionin tuaj dhe në shërbimin tuaj për të gjithë Kosovën. Ju keni mbjellë farën për të ardhmen”.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
    1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30