Kadetët e Kosovës në shënimin e Ditës së Personelit Ushtarak Mysafir në Akademinë e Forcave të Armatosura të Turqisë

Në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë në Ankara, është shënuar Dita e Personelit Ushtarak Mysafir (MAP Günü).

Në mesin e kadetëve nga 20 shtete të ndryshme të botës, Republikën e Kosovës e prezantuan  9 kadetët e Kosovës që  studiojnë në Akademinë Ushtarake në Turqi. Të pranishëm ishin edhe kadetët që janë duke vijuar mësimet në Fakultetin e Mjekësisë Ushtarake (GATA).

Me rastin e shënimit  të kësaj dite,  aktivitetet e kadetëve të FSK-së, u zhvillua nën organizimin dhe përkujdesjen e atasheut ushtarak të FSK-së, në Ankara, nënkolonel Bekim Osmani. Kadetët tanë, atje, prezantuan me dinjitet shtetin e Kosovës, FSK-në, kulturën dhe traditën e vendit tonë.

Në këtë ditë, i gjithë personeli i huaj kishte për detyrë që të përfaqësojë vendin e vet me ushqime, veshje kombëtare, uniformën ushtarake, fotografi me bukuritë natyrore, broshura të ndryshme rreth organizimit dhe aktiviteteve ushtarake etj.

Përveç komandantit të Akademisë i cili njëherësh ishte edhe nikoqir, për ta përcjellë këtë ngjarje kishin ardhur edhe shumë gjeneralë dhe oficerë tjerë të lartë vendorë si dhe atashe nga vende të ndryshme të botës. Gjatë vizitës së tyre tek këndi i Kosovës, nga atasheu ynë, ata u njoftuan me atë që kishin përgatitur për përfaqësim duke jua përshkruar në pika të shkurtra historinë dhe bukuritë natyrore të Kosovës.

Kadetët tanë, në mënyrë të shkëlqyer kishin përgatitur këndin e përfaqësimit dhe këndin e ushqimeve, të cilat nuk kaluan pa fjalë miradije nga komandanti i Akademisë Ushtarake dhe të gjithë të pranishmit tjerë. Sidomos u krijua një atmosferë mjaft  e mirë gjatë ekzekutimit  të valles shqiptare nga kadetët  tanë dhe ata të Shqipërisë, e cila bëri që të ndizet atmosfera, duke  u bërë kështu pjesë e saj pothuajse edhe të gjithë kadetët e vendeve të tjera.  

Edhe këtë vit, kjo paraqitje u realizua me përkrahjen e FSK-së, Ambasadës së Republikës së Kosovës në Ankara dhe familjeve të stafit të ambasadës.
 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
  1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31