Përfundojnë ushtrimet në bashkëpunim me instruktorë të Gardës Kombëtare të Ajovës

Nga data 27 shkurt deri më 02 mars 2018, janë realizuar: ushtrimi në tavolinë; ushtrimi në fushën e logjistikës dhe ushtrimi fushor i komunikimit ,,Pëllumbi-4”.

Qëllimi i këtyre ushtrimeve ishte që të arrihen standardet sa më të larta të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës; të përfitohet nga eksperiencat e ushtrisë amerikane; të dëshmohet funksionaliteti dhe profesionalizmi në këto tri fusha përkatëse.

Në ceremoninë e certifikimit të ushtrimit për logjistikë, ishin të pranishëm: zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore (KFT), gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, shefi i Shtabit të KFT-së, koloneli Naim Haziri, shefi i Departamentit të Logjistikës së KFT-së, nënkoloneli Arbnor Zeneli, oficeri i specializuar për Logjistikë nga Garda Kombëtare e Shtetit të Ajovës, SHBA, W01 Leon B. Altman.

Në përmbyllje të ushtrimeve janë realizuar edhe analizat pas-vepruese (APV) nga FSK-ja  dhe nga Garda Kombëtare e Shtetit të Ajovës, ku u prezantua ecuria e ushtrimeve. Të pranishmit u informuan për së afërmi më rrjedhën e këtyre ushtrimeve të cilat i paraprijnë ushtrimit fushor “Shqiponja 6”.

Zv. komandanti i KFT-së, gjeneral Hazrolli, falënderoi Ushtrinë Amerikanë për përkrahjen e vazhdueshme që është duke dhënë për FSK- në. Ai shtoi se “ky është një proces që nuk ka filluar sot, por shumë më herët dhe falë mbështetjes profesionale të ekipit të Gardës Kombëtare të Ajovës, ne me sukses jemi duke realizuar detyrat e përgjithshme. Me këtë rast në emrin e komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramës e falënderoj shefin Altman, dhe ekipin e tij, dhe nëpërmes tyre Gardën Kombëtare të Ajovës dhe gjeneralin Orr. 

Më tej gjeneral Hazrolli tha se ”këto ushtrime i paraprijnë ushtrimit fushor ,,Shqiponja-6’’. Ne kemi planifikua të gjitha masat që ushtrimi të jetë i mbështetur realisht dhe të jetë i suksesshëm, duke ditur që UF,,Shqiponja-6” do të jetë një ushtrim i planifikuar me aktivitete reale dhe për herë të parë merr pjesë një numër i jashtëzakonshëm i forcave partnere. Ne do të kemi nevoja të jashtëzakonshme për funksionimin e operacioneve reale. Ky ushtrim do të na dëshmojë që ne kemi arritur një profesionalizëm dhe krahasuar me UF ,,Shqiponja 5’’ kemi avancuar në aspektin e planifikimit, realizimit të operacioneve të planifikuara, por pa diskutim edhe në aspektin e ndërveprueshmërisë me partneret tanë”.

Ndërsa shefi i Shtabit të KFT-së, koloneli Naim Haziri, në përmbyllje të ushtrimit fushor të komunikimit ,,Pëllumbi 4”, falënderoi Ushtrinë Amerikane, në veçanti Gardën Kombëtare të Ajovës dhe komandantin e saj, gjeneralin Orr, për mbështetjen e vazhdueshme për FSK-në. Koloneli Haziri, me këtë rast, tha se “sektori i komunikimit është njëri ndër sektorët më të rëndësishëm në realizimin e ushtrimit. Ndihmat e ofruara nga partnerët e sidomos nga SHBA-ja kanë ndikuar në ngritjen dhe profesionalizimin e këtij sektori, ku ne sot kemi pajisjet më moderne të komunikimit që përdoren për komandë dhe kontrolle në operacione të ndryshme”.

Në përmbyllje të ushtrimit në tavolinë, nënkoloneli Ismail Brahimi, falënderoi pjesëmarrësit për angazhimin dhe disiplinën e treguar gjatë ushtrimit si dhe falënderoi  instruktorët e Gardës Kombëtare të Ajovës, dhe këshilltarët e NALT-it (Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës për FSK-në) për mbështetjen e vazhdueshme për FSK-në.

Ushtrimi është realizuar në Qendrën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj. Është punuar sipas planifikimit ku pas vlerësimit të situatës, bazuar në skenarin e ushtrimit, pjesëtarët kanë punuar në grupe dhe në përfundim të ushtrimit kanë dalë me kurset e veprimit për situatat e caktuara.

Këto ushtrime janë mbështetur nga ekspertë të fushave përkatëse nga Garda Kombëtare e Ajovës (SHBA) dhe nga këshilltarët e NALT-it. Në këto ushtrime kanë marrë pjesë mbi 120 pjesëtarë nga të gjitha njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
      1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30