Komandanti i FSK-së priti me ceremoni ushtarake shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së

Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës  (MFSK), komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), gjenerallejtënant Rrahman Rama priti në vizitë zyrtare me ceremoni ushtarake shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.

 Në fillim të agjendës së tyre, komandantët  patën një takim kokë më kokë.

 Më pas gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku i shoqëruar edhe nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama,  u prit  nga ministri i  Forcës së Sigurisë të Kosovës (MFSK) Rrustem Berisha.

Gjatë takimit të dyja palët vlerësuan lart bashkëpunimin e deritashëm në mes dy forcave, duke e konsideruar këtë bashkëpunim  si mjaft të dobishëm sidomos në shkëmbim të eksperiencave.

 Ministri  Berisha e njoftoi gjeneral Kollçakun  me të arriturat e FSK-së, procesin e përgatitjeve  për transformim të saj në Forca të Armatosura (FAK), integrimin e komuniteteve pakicë në radhët e FSK-së, trajnimet, edukimin, stërvitjet si dhe objektivat strategjikë të MFSK-së dhe FSK-së.

 Krahas kësaj, u fol edhe për  hapat nëpër të cilët ka kaluar FSK-ja  që nga formimi i saj, duke përfshirë edhe Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë, objektivat për të ardhmen, transformimin,  si dhe për fushat dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit edhe për vitin e ardhshëm.

 Më pas të dy gjeneralët dhanë nga një deklaratë për media.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), gjenerallejtënant Rrahman Rama, deklaroi se FSK çdo herë ka bashkëpunuar më FARSH dhe se në të ardhmen ky bashkëpunim do të thellohet edhe më shumë, duke përfshirë edhe fusha të tjera të sigurisë, por edhe shkëmbimin e përvojave të të dy ushtrive.

 “E di se për gjeneralin kjo  nuk është vizita e tij e parë në Kosovë, ndërsa në cilësinë e shefit të Shtabit vjen për herë të parë, andaj është nder dhe kënaqësi për ne që ta kemi këtu. Unë e falënderova gjeneralin për gjithë përkrahjen dhe  mbështetjen që kemi pasur gjatë gjithë këtyre viteve, sidomos gjatë këtij vit.  Mund të them se Forca e Sigurisë së Kosovës po e përmbyll një vit të suksesshëm dhe pjesë e këtij suksesi padyshim janë edhe Forcat e Armatosur të Shqipërisë. Ne diskutuam edhe për thellimin e bashkëpunimit edhe për vitet e ardhshme. Absolutisht ne do ta kemi këtë përkrahje dhe kemi nevojë për eksperiencat e shtetit shqiptar dhe të ushtrisë shqiptare, në veçanti në aspektin e integrimit në strukturat veri-atlantike”, - tha komandanti i FSK-së.

Nga ana e tij, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku u shpreh i kënaqur më të arriturat e FSK-së që nga formimi i saj, duke theksuar bashkëpunimin me Forcat e Armatosura si dhe ndihmën e FSK-së në  operacionin e fundit pas përmbytjeve  të disa zonave në Shqipëri.

 “Jam shumë i mrekulluar nga prezantimi, por më shumë nga progresi i Forcave  të Sigurisë së Kosovës në këtë  periudhë të shkurtër të lindjes dhe zhvillimit duke  arritur Kapacitete e Plota Operacionale.  Përfitoj nga rasti ta falënderoj gjeneral Ramën, ministrin e Mbrojtjes dhe Qeverinë e Kosovës për ndihmën e menjëhershme profesionale në rastin e emergjencave që kishim në Shqipëri për shkak të  përmbytjeve. FSK-ja e tregoi veten jo vetëm në reagimin e  menjëhershëm por edhe me profesionalizimin e anëtarëve të  saj, duke inspektuar dhe duke kryer rekonicion xhenier në urat e dëmtuara dhe duke ndihmuar popullsinë në zonat afektuaka dhe po ashtu dhe me sasinë e urave që dhuroi për  FARSH. Bashkëpunimi ynë për 2017 ka qenë shumë i mirë,  janë realizuar të  gjitha aktivitete e parashikuara,  plani i vitit   2018 parashikon  shtim të aktiviteteve jo vetëm në  sasi por edhe në cilësi dhe kjo përkon me  10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës por edhe më vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot  Skënderbeut.  Ne jemi të vendosur ta mbështesim transformimin nga FSK  në FAK brenda ndryshimeve kushtetuese në konsultim me partnerët. Jemi të vendosur që bashkëpunimin ta thellojmë sidomos në fushën e trajnimit, edukimit por edhe  të stërvitjeve, pa e lenë pas dore edhe mundësinë që FSK të jetë pjesë në Operacionet e NATO-s për të kontribuar në  sigurinë rajonale dhe më gjerë së bashku më Forcat e Armatosura të Republikës së  Shqipërisë, sepse niveli profesional dhe përgatitja e lejojnë një mundësi të tillë, pra duke shikuar të gjitha modalitetet”, - përfundoi  gjeneral Kollçaku.

 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
      1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30