Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione vizitoi MFSK-në

Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione me kryetare Duda Balje, vizitoi sot Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK-në), ku mbajti takim me shefen e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore në MFSK, zonjën Halime Morina si dhe me përfaqësueset  femra të disa departamenteve të kësaj ministrie, të cilat janë në pozita kyçe në MFSK, për t’u njoftuar për nivelin e të drejtave të njeriut dhe barazinë gjinore në MFSK.

Në fjalën përshëndetëse ministri i FSK-së z. Rrustem Berisha  theksoi se në MFSK i kushtohet rëndësi përfshirjes së femrave duke thënë se shkalla e përfshirjes është e kënaqshme. Femra në MFSK ka arritur në pozitën dhe rolin e saj falë  përgatitjes profesionale, fizike dhe psikike që kërkohen në këtë institucion. Ato japin kontributin e tyre kudo që kërkohet si brenda institucionit ashtu edhe në përfaqësimin me dinjitet jashtë vendit. “Gjinia femërore në MFSK/FSK nuk është vetëm për plotësim të numrit, por përqindja e pjesëmarrjes së tyre përfaqëson peshën e saj në proceset vendimmarrëse të institucionit dhe na bënë të ndihemi krenarë me punën e tyre si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. Një pjesë e tyre  i përkasin edhe të kaluarës së lavdishme-Ushtrisë Çlirimtare. Angazhimi jonë nuk do të mungojë as në të ardhmen për krijimin e ambientit të përshtatshëm të punës së femrave në institucionin tonë”-tha ministri Berisha në fjalën përshëndetëse.

Nga ana e saj  kryetarja e   Komisionit parlamentar znj. Duda Balje premtoi bashkëpunim dhe  ndihmë profesionale e energji pozitive  kurdo që është e nevojshme. Ndër të tjera ajo tha: “Do të punojmë për ju sa herë që keni nevojë për ndihmën tonë”.

Gjatë takimit zonja Halime Morina prezantoi punën e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore në MFSK/FSK në raport me femrat e  Ministrisë dhe Forcës, si dhe u diskutuan  arritjet dhe sfidat për përfaqësimin e femrës  në proceset vendimmarrëse dhe ngritjen e saj në karrierë. Nga të gjeturat e  kësaj Njësie u tha që në MFSK/FSK nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore dhe se gjithçka është e rregulluar me ligjet e Republikës së Kosovës.

Pjesë e delegacionit nga Komisioni parlamentar ishin: Duda Balje, Luljeta Veselaj-Gutaj, Mexhide Mjaku-Topalli dhe Saranda Bogujevci, ndërsa nga pala pritëse e MFSK-së ishin Halime Morina,  Luljeta Rexhepi, Fahrije Sadiku, Hadije Binaku, Remzie Morina dhe Leonora Gjinovci.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31

KOSOVO IN UNESCO