Realizohet “Marshimi i dhjetorit”

Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në kuadër të planit vjetor të stërvitjes, realizoi edhe marshimin administrativ - kondicional të koduar  “Marshimi i dhjetorit”.

Ky marshim tashmë është bërë tradicional për KDS-në dhe realizohet nga pjesëtarët e saj. Këtë vit ky marshim ishte më i veçantë sesa herëve tjera sepse pjesëtarët e KDS-së marshuan larg lokacionit të tyre, në terrenin e bjeshkëve të  Pashtrikut.

Ky marshim pati edhe simbolikën e vet, sepse pikërisht më 14 dhjetor 1998 në këtë pikë ranë 41 luftëtarë të UÇK-së në krye me komandantin Mujë Krasniqi. Atë ditë ata ishin duke u kthyer nga  Shqipëria me armatim dhe municion,  për t’ju bashkuar bashkëluftëtarëve të UÇK-së për çlirimin e atdheut.

KDS-ja përveç stërvitjeve të planifikuara që janë misioni i saj, zhvillon edhe marshime, me qëllim që të testojë aftësitë dhe përgatitjet e tyre  fizike. Edhe në këtë marshim u dëshmua se pjesëtarët e KDS-së janë të gatshëm dhe të përgatitur mirë edhe për marshime në terrene të vështira malore. Pjesëtarët e KDS-së përveç marshimit në këtë  ditë të shënuar, patën rastin të takojnë  edhe familjarët e të rënëve më 14 dhjetor 1998 në bjeshkët e Pashtrikut.

Me këtë rast u bënë homazhe në vendin e rënies së dëshmorëve, ndërsa komandanti i KDS-së gjeneral brigade Enver Cikaqi, ju drejtua familjarëve të dëshmorëve dhe pjesëtarëve të KDS-së me fjalë  nderimi dhe përkujtimi: “Dita e 14 dhjetorit e vitit 1998 ishte një goditje e rëndë  për UÇK-në dhe për ju si familjarë, mirëpo falë sakrificës së tyre, falë gjakut të derdhur të dëshmorëve ne sot gëzojmë lirinë. Kur kujtojmë veprën dhe sakrificën e tyre, dhe kur shohim avancimin e institucioneve të sigurisë dhe shtet- ndërtimin, që ishte edhe pikësynim i dëshmorëve, na lehtësohet  dhimbja për të rënët”.

“Marshimi i dhjetorit” që është një prej aktiviteteve të KDS-së në kuadër të planit të punës u vlerësua i suksesshëm dhe i përgatitur mirë.



 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31

KOSOVO IN UNESCO