Presidenti Hashim Thaçi mbajti fjalim para ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dje mbajti fjalim para ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve në kazermën ,,Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore në Prishtinë.
 
Në këtë takim presidentin Thaçi e shoqëronin komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneralët: Zymer Halimi, Nazmi Brahimaj, Gëzim Hazrolli, Enver Cikaqi, si dhe stafi i lartë i FSK-së.
 
Presidenti Thaçi fillimisht përshëndeti dhe njëherësh përgëzoi të gjithë pjesëtarët e FSK-së, për arritjet e përgjithshme gjatë vitit 2017, si në aspektin individual dhe atë kolektiv, duke renditur sidomos sukseset e kadetëve tanë në akademitë më prestigjioze në botë, për të cilat tha se ndjehej krenar dhe i privilegjuar  që ishte para tyre dhe i cilësoi si krenaria e Republikës së Kosovës.
 
Ai, para pjesëtarëve të FSK-së,  foli edhe për transformimin e FSK-së, me ç’rast tha se Kosova do ta ketë ushtrinë moderne e cila do të themelohet në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët e saj, duke vazhduar më tej: “Ashtu siç jeni sot, ju do të jeni forcë shumetnike, profesionale, mbrojtëse, që do të përfaqësoni me krenari shtetin tonë. Kosova duhet të ketë kapacitet të plotë mbrojtës dhe një ushtri moderne, që do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë. Ju pjesëtarë të FSK-së po e dëshmoni çdo herë veten duke shkëlqyer në secilin ushtrim apo garë ku po merrni pjesë. Ju po shkëlqeni në akademi ushtarake të njohura në botë. Uniforma që ju bartni, është ëndrra e stërgjyshërve tuaj, e kthyer në realitet. Ju jeni profesionistë dhe keni shumë për t’iu dhënë misioneve të ndryshme paqeruajtëse. Por, para së gjithash, ju e meritoni shansin e realizimit të potencialit të tuaj, duke u bërë së shpejti pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës. Ne jemi duke shikuar drejt ardhmërisë, por asnjëherë nuk do të harrojmë të gjithë ata që dhanë shumë për vendin tonë. Në themelet e lirisë sonë qëndron kontributi dhe sakrifica e shumë veteranëve të UÇK-së, që kurrë nuk hoqën dorë nga ëndrra e lirisë. Ne nuk do të heqim dorë nga përpjekjet tona që të sigurojmë mirëqenie dhe jetë me dinjitet për veteranët, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve. Këtë do ta bëjmë jo në dëm të funksionimit të shtetit, sepse këtë jam i sigurt se askush nga ata nuk dëshiron të dëmtojë qëndrueshmërinë fiskale të shtetit tonë. Ju me punën tuaj keni arritur t’i bëni krenarë prindërit tuaj, fëmijët tuaj, por mbi gjithçka, ju jeni krenaria e Republikës së Kosovës. Ne duhet reflektojmë së bashku për të arriturat e deritashme. Cilësia e demokracisë sonë nuk duhet të varet vetëm nga një sprovë e përfaqësuesve politikë me qytetarin vetëm përmes zgjedhjeve. Unë besoj se demokracia ndërtohet dhe forcohet nga shkëmbimi i vazhdueshëm dhe i drejtpërdrejtë i ideve dhe përvojave tona”, tha presidenti Thaçi.
 
Presidenti Thaçi u shpreh më tej se është e pashembullt shpejtësia me të cilën Kosova ka arritur ta kthejë fatin e vetë në rrugë të mbarë në tri dekadat e fundit.
 
“Ne e kemi pasur fatin dhe nderin të jemi pjesë e gjeneratës historike që e nxorëm këtë vend nga shkelja, përbuzja, keqtrajtimi dhe nënshtrimi. Kemi bërë shumë për vendin tonë dhe për këtë jemi përgjithmonë ballëhapur. Por, a ka përfunduar puna jonë me kaq? Sigurisht që Jo! Mendoj se ne mund të bëjmë shumë më tepër. Jemi afër datës kur do të shënojmë dhjetëvjetorin e pavarësisë. Këto data na mundësojnë të shkëputemi nga përditshmëria dhe të bëjmë një reflektim të përbashkët”, tha Thaçi duke shtuar se kemi arritur të konsolidojmë shtetin tonë, duke shtrirë institucionet në secilin cep të vendit, mirëpo në shumë fusha të funksionimit dhe qeverisjes, ende mbesin punë për t’u bërë. Sipas tij, sfida të mëdha kemi përpara, por nëse fokusohemi dhe punojmë së bashku, ne mund t’i përballojmë e tejkalojmë.
 
Presidenti Thaçi tha në fjalën e tij se qëllimi ynë mbetet i qartë, të ndërtojmë një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, dhe se shteti ynë duhet të jetë  i integruar në familjen e kombeve botërore.
 
Në përfundim të fjalës së tij, presidenti Thaçi, tha:” detyrë e imja, detyra e juaja, detyrë e të gjithë neve, është që të punojmë pa u ndalur për të mirën tonë të përgjithshme. Uroj që të na prijë e mbara në realizimin e qëllimeve tona të mira në shërbim të qytetarëve dhe shtetit tonë”.

 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
    1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31

KOSOVO IN UNESCO