Ministri Berisha zhvilloi takime dypalëshe gjatë konferencës së Kartës së Adriatikut-A5

Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Rrustem Berisha dhe delegacioni që e shoqëronte në përbërje, drejtori i Drejtorisë për Politika dhe Plane të MFSK-së, Faruk Geci dhe kolonel Fadil Hadergjonaj, këshilltar ushtarak i ministrit, zhvilluan disa takime dypalëshe në Ohër të Republikës së Maqedonisë, gjatë punimeve të konferencës SHBA- Karta e Adriatikut-A5.

Fillimisht Ministri Berisha dhe delegacioni i tij u takuan me ministren e Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, zonjën Radmilla Shekerinska-Jankovska. Në takimin e përbashkët të dy ministrave u folë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe dy vendeve.

Ministri Berisha i shprehu ministres Shekerinska gatishmërinë e FSK-së për pjesëmarrje në operacione jashtë vendit me kapacitetet aktuale, pastaj u fol për shkollimin e kadetëve të FSK-së nga radhët e komuniteteve pakicë në Akademinë e Mbrojtjes të Maqedonisë, për gatishmërinë e FSK-së për të ofruar trajnime në Qendrën  e Trajnimit të FSK-së për Kërkim- Shpëtim të personelit të Ushtrisë së Maqedonisë, si dhe me theks të veçantë, folën për nevojën për mbështetje të Kosovës  në rrugën e saj për anëtarësim në iniciativa rajonale dhe më gjerë.

Ministri Berisha në Ohër zhvilloi një takim edhe me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Bullgarisë, zotëri Krasimir Karakachanov, me të cilin biseduan për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në rajon dhe më gjerë.  

Krahas kësaj, ministri Berisha së bashku me homologun bullgar folën edhe lidhur me inicimin e proceduarave për arritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe dy vendeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, si dhe për  kapacitetet trajnuese në fushën e Policisë Ushtarake, që posedojnë Forcat e Armatosura të Bullgarisë, e që do të ishin të dobishme për FSK-në.

Gjithashtu, ministri Berisha zhvilloi takim bilateral edhe me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Malit të Zi,  Predrag Boshkoviq, të cilin e uroi, me këtë rast, për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, si dhe i shprehu konsideratën për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy ministrive dhe dy vendeve.

Ai në fund,  zhvilloi takim edhe me delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë të prirë nga drejtori i Departamentit për Politika dhe Plane, Petar Mehatov, me të cilin biseduan për marrëdhëniet e shkëlqyera në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes ndërmjet të dyja vendeve dhe dy ministrive dhe për shkëmbimet e shumta dhe aktivitetet e gjithanshme në kuadër të marrëveshjes dypalëshe  të bashkëpunimit.

Në të gjitha takimet dypalëshe, ministri i FSK-së z. Berisha pikë kryesore kishte procesin  e transformimit të FSK-së dhe nevojën për mbështetje të këtij procesi nga shtetet mike të Kosovës.   

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
      1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30