Forcat e Armatosura të Republikës së Maqedonisë vizituan Forcën e Sigurisë së Kosovës

Një delegacion i Forcave të Armatosura të Republikës së Maqedonisë (FARM) ka qëndruar sot për vizitë zyrtare në kazermën “Adem Jashari”të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Prishtinë.

Delegacioni u prit nga zëvendëskomandanti i Komandës së Forcës Tokësore (KFT) gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, shefi i Shtabit të KFT-së kolonel Naim Haziri si dhe shefi i Operativës së KFT-së kolonel Bashkim Shillova.

Gjatë takimit të dy palët biseduan për bashkëpunimin e mirëfilltë të deritanishëm dhe për mundësinë e vazhdimit dhengritjes së këtij bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe FARM-së edhe në të ardhmen.

Për nder të kësaj vizite ekipi organizativ i FSK-së kishte organizuar ndeshje futbolli, ku të gjithë të pranishmit patën mundësi të shohin një lojë mjaft kualitative të dy ekipeve. Këtë ndeshje e përcolli edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës z. Rrustem Berisha, së bashku me gjeneral Hazrollin si dhe me oficerë e nënoficerë të FSK-së dhe FARM-së.

Para të pranishmëve, para fillimit të lojës së futbollit, ministri Berisha mbajti një fjalë të shkurtër rasti duke shprehur kënaqësinë e tij nga realizimi i një vizite të tillë dhe shfaqi dëshirën e tij për vazhdimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen. “Dëshiroj që sot të zhvillohet një lojë fer dhe të fitojë ekipi më i mirë dhe që shumë shpejt të kemi mundësinë që të takohemi edhe në lojën kthyese në Maqedoni, në mënyrë që ta thellojmë bashkëpunimin në këtë fushë dhe në shumë fusha tjera”- tha ndër të tjera ministri Berisha.

Hapjen e lojës e bënë ministri Berisha së bashku me kolonelin Aleksandër Glavinov nga delegacioni i Maqedonisë.

U zhvillua një lojë futbolli mjaft e mirë në mes të dy ekipeve. Kjo lojë përfundoi me rezultat 6-2 në favor të ekipit të FSK-së.

Pas përfundimit të lojës të dy ekipet u shpërblyen me medalje për spektaklin që dhuruan, ndërsa gjeneral Hazrolli pasi falënderoi delegacionin e FARM-së ndër tjera tha: “Ishte kënaqësi të shoh një lojë të tillë dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë sa më shumë në mënyrë që ta mbajmë këtë nivel të gatishmërisë”.

Pas përfundimit të këtij aktiviteti sportiv të gjithë së bashku morën pjesë në një koktej të organizuar për këtë rast, në mënyrë që të shfrytëzojnë mundësinë të bisedojnë dhe të njihen sa më mirë ndërmjet veti.

Kjo vizitë u realizua duke u bazuar në planin e bashkëpunimit dypalësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Maqedonisë.
 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
  1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30

KOSOVO IN UNESCO