Komandanti i FSK-së priti Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës(FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti sot në Ministri, Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë, njëherësh edhe Komandant i Komandës së SHBA-ve për Evropë, gjeneralin Curtis M. Scaparrotti të shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Giovanni Fungo.

Gjenerali Scaparrotti u prit me ceremoni solemne nga Togu Ceremonial dhe Orkestra frymore  e FSK-së e cila edhe ekzekutoi, për herë të parë, Himnin e NATO-s, si dhe Himnin e Republikës së Kosovës.

Në takimin e përbashkët të gjeneral Ramës dhe gjeneralit Scaparrotti, u bisedua për çështjet e sigurisë në Republikën e Kosovës, në rajon dhe më gjerë, gjithashtu u bisedua edhe për profesionalizimin e institucioneve të sigurisë të vendit tonë, si dhe për zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve të FSK-së me KFOR-in dhe NATO-n, në përgjithësi.

Në këtë takim, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama e falënderoi komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë, gjeneralin Scaparrotti për angazhimin e NATO-s nëpërmjet KFOR-it, në ruajtjen e paqes dhe garantimin e sigurisë në Kosovë, e gjithashtu edhe për rolin e NATO-s, nëpërmjet Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për këshillimin dhe zhvillimin e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, gjithashtu e njoftoi gjeneralin Scaparrotti, për zhvillimin dhe profesionalizmin e FSK-së, kapacitetet ekzistuese dhe gatishmërinë operacionale të sajë, si dhe për planet e udhëheqësve të MFSK/FSK dhe institucioneve më të larta të vendit për avancimin e misionit dhe detyrave, pra në përgjithësi, për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Gjeneral Rama  siguroi gjeneralin Scaparriotti se FSK-ja është e gatshme të filloi procesin e transformimit menjëherë pasi të merret vendimi politik. Njëkohësisht, gjeneral Rama i shprehu gjeneral Scaparriottit gatishmërinë e FSK-së që me kapacitetet ekzistuese po edhe ato të ardhshme të jetë garantuese e paqes në vend si dhe të kontribuojë dhe të jetë krah për krah me partnerët në misione jashtë vendit.

Nga ana e tij, komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, gjeneral Curtis  Scaparrotti shprehu përgëzime për lidershipin, profesionalizimin si dhe bashkëpunimin e mirë që FSK-ja ka me KFOR-in, për angazhimet e saj, në të mirë të komunitetit dhe zhvillimit të Kosovës në përgjithësi duke premtuar përkrahjen e NATO-s për ushtrimet fushore dhe stërvitjet e përbashkëta, trajnime dhe operacione si dhe shkollim profesional të pjesëtarëve të FSK-së.

Gjenerali amerikan shprehu përkushtimin e NATO-s, për paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon, dhe se paqja, siguria dhe prosperiteti janë edhe në interes të NATO-s, dhe vendeve anëtare të saj e më gjerë.​​

Në takim me gjeneralin amerikan ishin edhe Sekretari i përgjithshëm Shkelzen Sylaj, drejtori për operacione gjeneral brigade Zymer Halimi, zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli dhe asistenti ushtarak i KOMFSK,  major Berat Shala.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
    1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31

KOSOVO IN UNESCO