Diplomuan kadetët e FSK-së, gjenerata 2017

Në kazermën “Skënderbeu” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) të FSK-së, në Ferizaj, sot u mbajt ceremonia solemne e diplomimit të kadetëve të Qendrës për Studime Universitare të FSK-së, gjenerata 2017.

Në ceremoninë e diplomimit prezent ishin: ministri për Ministrinë e Forcës së Sigurisë të Kosovës, z. Haki Demolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendësministri i FSK-së, Muhamet Latifi, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Giovanni Fungo, komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Dietmar Mosman, zëvendës drejtori i NALT-it Mark Theobalt, ambasadorë, atashetë e akredituar në Kosovë, përfaqësues nga Policia e Kosovës dhe Pushtetit Lokal, stafi i lartë i MFSK/FSK, familjarë të kadetëve si dhe oficerë, nënoficerë dhe ushtar të FSK-së. Ceremonia e diplomimit dhe gradimit të kadetëve të QSU-së, filloi me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës. 

Në fjalën e tij, ministri i Ministrisë së FSK-së, z. Haki Demolli, diplomimin dhe gradimin e kadetëve të FSK-së, e cilësoi si një ditë të veçantë për të dhe FSK-në.  “Për mua si ministër i FSK-së, dita e sotme e diplomimit dhe gradimit tuaj në gradën e nëntogerit, është  një ditë e shumë pritur, është një ditë e kurorëzimit të një pune tuaj të gjatë, është dita e realizimit të ëndrrave tuaja, e cila juve ju ka shtyrë para 4 viteve që të vendosni për t’u bërë pjesëtarë të FSK-së, pra që të bëheni oficerë të karrierës. 

Realizimi i ëndrrës tuaj rinore, sigurisht se ka kërkuar punë këmbëngulëse, angazhim dhe disiplinë maksimale në njërën dhe sakrificë në anën tjetër.

Kjo është dita e cila shënon kalimin në një fazë të re zhvillimi, sepse juve ju hapet mundësia për t’u aktivizuar në FSK si oficerë aktiv.

Diplomimi dhe gradimi i kadetëve është një shembull i mirë i zhvillimit dhe i ngritjes profesionale të FSK-së, përmes investimit në dije dhe në shkencë.

Kjo është dëshmia më e mirë, se ne po e krijojmë një forcë profesionale, konform standardeve më të larta ushtarake, pra sipas kritereve dhe standardeve të NATO-s.                     

Më duhet të theksoi, se diplomimi i juaj është më ndryshe se sa diplomimi i  gjeneratave të tjera, sepse ju po diplomoni në vitin kur ne si Ministri e FSK-së, kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, për të filluar dhe zhvilluar procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, do të krijojë mundësi të mëdha, jo vetëm që ju të ofroni shërbime më të mira popullit dhe shtetit tonë, por edhe mundësi për avancimin dhe ngritjen tuaj profesionale ushtarake.

Në fund, ministri Demolli i përgëzoi kadetët, stafin akademik trajnues të KDS-së, dhe të QSU-së, për punën e tyre të palodhshme në përgatitjen dhe stërvitjen e kësaj gjenerate si dhe falënderoi familjarët e kadetëve për përkrahjen maksimale në rrugëtimin e tyre gjatë studimeve në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së.

Ndërsa komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në fjalën e tij, pasi përshëndeti të pranishmit, tha se ndihet shumë mirë, në ditën e diplomimit të kadetëve: “E di që rrugëtimi i juaj deri këtu nuk ishte i lehtë. Ju kaluat sfida të mëdha fizike dhe mentale, me të vetmin qëllim që të edukoheni dhe të përgatiteni për t’i shërbyer vendit dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por më duhet të ju them që ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tuaj në këtë profesion fisnik. Gjatë karrierës tuaj, ju do të ballafaqoheni me sfida të ndryshme, të cilat ju si udhëheqës, duhet t’i jepni drejtim dhe zgjidhje.

Nga ju pres që të jeni udhëheqës të ndershëm, të guximshëm dhe të punoni me përkushtim. Gjithashtu, pres nga ju, që të gjitha vështirësitë me të cilat do të ballafaqoheni në të ardhmen, t’i ktheni në mundësi, se vetëm kështu ne do të zhvillojmë dhe avancojmë institucionin tonë që të jetë i gatshëm të përmbush misionin e vet, t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë regjionale e globale”.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, me këtë rast, përgëzoi stafin e KDS-së dhe Qendrën për Studime Universitare; për punën e palodhshme në zhvillimin profesional të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, dhe për përkushtimin dhe profesionalizëm që po punojnë për edukimin dhe trajnimin e oficerëve të rinj.

Kurse komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi, me rastin e diplomimit të kadetëve  tha se sot, FSK-së po i shtohen edhe 9 kadetë të rinjë të sapo diplomuar në gradën e nëntogerit.

“Të jesh oficer është detyrë jo e lehtë, që përkon me shumë sfida dhe përgjegjësi. Dhe sa më lartë që shkoni në karrierë, privilegjet tuaja rriten por njëherësh edhe përgjegjësitë dhe detyrat tuaja shumëfishohen. Ju kaluat nëpër këtë qendër për katër vite nëpër një sistem të avancuar shkollimi dhe trajnime të vështira, ku u brumoset me vlerat dhe virtytet më të larta si nderi, detyra, atdhe-dashuria, integriteti, humanizmi dhe vetëmohimi”.

Pas leximit të urdhrit për gradimin e kadetëve në gradën e nëntogerit, ministri Demolli, gjeneral Rama, komandanti i KFOR-it, gjenerali Fungo, gjenerali Cikaqi dhe majori Kiqina u dhanë certifikatat, oficerëve të rijnë të FSK-së.

Para komandantit të QSU-së, majorit Avni Kiqina, kadetët e sapo diplomuar dhanë betimin solemn.

Më pas, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama i dorëzoi kadetit, Vilson Musajt, çmimin “Kadeti më i mirë i gjeneratës 2017”.

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
      1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30 31

KOSOVO IN UNESCO