Orkestra e Forcës së Sigurisë së Kosovës performon në kazermën ,,Sultan Murat në Prizren

Forca e Sigurisë së Kosovës së bashku me udhëheqësit e kampit ushtarak turk, në kuadër të bashkëpunimit me partnerët, në kazermën ,,Sultan Murat në Prizren, kanë realizuar një aktivitet kulturor me Orkestrën Frymore të Forcës së Sigurisë të Kosovës për ushtarët dhe oficerët e KFOR-it turk që shërbejnë në Kosovë.
Për të përcjellë nga afër performancen ishin të pranishëm drejtori i Drejtorisë për Operacione në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjeneral brigade Zymer Halimi, komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile kolonel Shaip Haziri, mysafirë të shumtë, si ministri Mahir Jagxhilar, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, si dhe oficerë e ushtarë të KFOR-it turk me shërbim në Kosovë.
Nikoqiri i këtij organizimi, komandanti i kontingjentit turk në Kosovë, kolonel Mustafa Tavazar, gjatë fjalës së tij të mbajtur me këtë rast ndër tjera tha: Falënderoj të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje dhe njëherësh dua të shpreh kënaqësinë time për profesionalizmin e Orkestrës së FSK-së, e cila para pak javësh kishte performuar së bashku me Orkestrën nga Turqia në mjediset e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ne, po atë ditë bëmë kërkesë tek ZVKOM i Forcave Tokësore gjeneral brigade Gëzim Hazrolli që të organizojmë një koncert këtu, në kazermën tonë, dhe kërkesa jonë u miratua nga ministri i FSK-së z. Haki Demolli, dhe tani jemi këtu që të përcjellim së bashku interpretimin e bukur të kësaj orkestre.
Gjatë këtij koncerti, ku u luajtën vepra dhe marshe të shumta si dhe u interpretuan këngë të bukura në gjuhën turke, të gjithë të pranishmit patën mundësi që të argëtohen dhe të shijojnë interpretimin e tyre të mrekullueshëm nga Orkestra Frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në fund komandanti i kontingjentit turk, në shenjë falënderimi ndau mirënjohje për Orkestrën e FSK-së.