Ministri Haki Demoli dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama bënë homazhe në Koshare

Të dielën me 09.04 2017, ministri Haki Demoli dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së) gjenerallejtënant Rrahman Rama të shoqëruar nga zëvendësministri Muhamet Latifi, kanë marrë pjesë në manifestimin “Ditët e shqipes“ që i kushtohet të rënëve të “Brigadës 138 Agim Ramadani”, në betejën e UÇK-së në Koshare, manifestim ky i organizuar  nën patronatin e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës Isa Mustafa.

Me këtë rast ministri dhe komandanti  së bashku me bashkëpunëtorë  banë homazhe në varrezat e dëshmorëve në kompleksin memorial në Koshare. Po ashtu  ata takuan shumë familjarë të dëshmorëve me të cilët biseduan përzemërsisht duke shprehur mirënjohjen për sakrificën sublime të dëshmorëve të rënë në altarë të lirisë në luftën çlirimtare dhe respekt për pasardhësit dhe  familjarët e tyre. Ata vlerësuan lartë të rënët në këtë betejë të lavdishme e cila theu kufirin e imponuar forcërisht ndërmjet  shqepëtave, betejë që së bashku me të gjitha betejat e luftës së  UÇK-së i sollën lirinë Kosovës. Liri të cilën e gëzojmë ne sot në Kosovën e lirë dhe të pavarur, që ishte ëndrra dhe amaneti i të gjithë dëshmorëve të luftës së UÇK-së. 

Pjesëmarrës në këtë manifestim dhe pjesë e delegacionit të MFSK-së dhe FSK-së ishin edhe zëvendës komandanti i Komandës së Forcës Tokësore të FSK-së gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj shef i departamentit të  Operativës dhe Trajnimeve, kolonel Fadil Hadergjonaj këshilltar ushtarak i ministrit, këshilltarët politik Rexhep Leci dhe Shkelzen Feka.

Në kuadër të organizimit të manifestimit kanë mbajtur fjalime; presidenti i Kosovës zoti Hashim Thaqi, kryeministri i Kosovës zoti Isa Mustafa dhe ish komandanti i “Brigadës 138 – Agim Ramadani” të UÇK-së Rrustem Berisha. Manifestimi u përmbyll me pika muzikore dhe artistike me tematikë  nga beteja e lavdishme e Koshares dhe heroizmi i të rënëve në luftën çlirimtare.
 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
   1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30

KOSOVO IN UNESCO