Fjala e ministrit Haki Demolli në Akademinë Përkujtimore kushtuar Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit

Në kuadër të manifestimit për shënimin e 19 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Sallën e Kuqe në Prishtinë, u mbajt Akademia Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri, ku fjalën tematike e mbajti ministri i FSK-së, z. Haki Demolli.


E nderuara dhe shumë e respektuara Familja Jashari,
Të nderuar veteranë të UÇK dhe familje të dëshmorëve,
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Veseli,
I nderuari Kryeministër Mustafa,
Të nderuar liderë partiak, ministra, përfaqësues të institucioneve shtetërore lokale dhe qendrore,
Të nderuar, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të FSK-së,
Të nderuar ambasadorë, përfaqësues diplomatikë të vendeve mike të Kosovës, ndërkombëtarë,
Të nderuar qytetarë dhe të pranishëm 

Edhe gjatë marsit të këtij viti,  nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Kryeministri Isa Mustafa, në përkujtim të  luftës dhe sakrificës epike të Komandanti Legjendar Adem Jashari, familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij,  është organizuar dhe po mbahet manifestimi tanimë tradicional  “Epopeja e UÇK-së”, në kuadër  të cilit po zhvillohen  aktivitete të ndryshme, ushtarake,  sportive,  kulturore  si dhe akademi përkujtimore, në të cilat  ndër të tjera po bëhet edhe trajtimi akademik,  historik dhe shkencor i vlerës dhe  rëndësisë që ka  Epopeja  e lavdishme e marsit të vitit 1998, në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur të  Kosovës.

Ne sot, 19 vite pas, po përkujtojmë ngjarjet heroike të marsit të vitit 1998, ngjarjet  e një marsi të zymtë, kur Kosovën dhe popullin e saj  e kishte  kapluar  pushtimi i egër i okupatorit serb, e që njëherësh njihet edhe si marsi i  lavdisë kombëtare.

E bëri  këtë periudhën më të lavdishme të vendit tonë, vepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari, i cili kishte vlerësuar se liria e vendit është  më e shtrenjtë se jeta e tij, se jeta e familjarëve të tij dhe më të dashurve të tij, duke ia bërë me dije popullit, se tani e tutje do të ketë  ushtrinë e cila do ta çlironte përfundimisht Kosovën nga okupimi shekullor.

Lufta, rezistenca dhe rënia heroike e familjes Jashari, ishte një ngjarje, respektivisht  një sakrificë dhe flijim i pashembullt për lirinë e kombit dhe të atdheut, çfarë historia jonë kombëtare por as ajo botërore nuk kishte parë e as dëgjuar kurrë më parë.

Kjo luftë, shërbeu si një  frymëzim i jashtëzakonshëm  për mobilizimin e tërë popullit të Kosovës dhe të diasporës tonë, në angazhimin përfundimtar për çlirimin e vendit.

Si rezultat i këtij mobilizimi gjithëpopullor, pas Epopesë së marsit ‘98,  Ushtria e Komandantit Adem Jashari me shpejtësi të meteorit, u rrit dhe u strukturuar në formacione  ushtarake,  duke çliruar dhe vënë nën kontroll  zona të tëra të vendit tonë.

Sukseset e shumta në fushëbeteja, të Ushtrisë së Komandantit Legjendar dhe  formacioneve të tjera ushtarake në Kosovë,  ndikuan  që të aktivizohet edhe diplomacia ndërkombëtare, e cila duke e vlerësuar si të drejtë luftën e  për çlirimin e Kosovës,  fillojë të gjykonte dhe dënonte krimin dhe gjenocidin shtetëror serb të kryer ndaj popullit tonë liridashës.

Të gjitha këto zhvillime,  rezultuan me organizimin e Konferencës  së Rambujesë, e cila u pasua  me   bombardimin e caqeve policore-ushtarake të Serbisë  nga forcat aleate të NATO-së, e që për epilog përfundimtar, pati  kapitullimin e Serbisë  dhe çlirimin përfundimtar  të Kosovës.

Andaj, në këtë akademi përkujtimore, duhet thënë se shteti ynë dhe kombi ynë përjetësisht do të jenë mirënjohës për të gjithë dëshmorët e rënë, për të gjithë ata që sakrifikuan gjakun dhe mundin për pavarësinë dhe lirinë të cilën është duke e gëzuar populli ynë.

Jemi dëshmitarë se para tri ditëve, një gjykatë franceze  ia shtyu edhe për  një muaj ndalimin në shtetin e Francës,  njërit prej komandantëve më të lavdishëm të UÇK-së, ish Kryeministrit të Kosovës zotëri Ramush Haradinaj.

Reagimi i organeve shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës, ndaj një vendimi të tillë të gjykatës franceze ka qenë i menjëhershëm dhe i zëshëm.

Kjo dëshmon se, populli dhe shteti ynë i çmojnë jashtëzakonisht shumë, luftën çlirimtare dhe sakrificën për liri, dëshmon se i çmojnë çlirimtarët dhe luftën e tyre çlirimtare të UÇK-së.

Respektin dhe nderimin e popullit për luftën e UÇK-së, për lavdinë e luftëtarëve të lirisë, nuk mund ta zbehin as Gjykatat Ndërkombëtare e  as Gjykatat Speciale, sepse UÇK-ja dhe luftëtarët e saj, kanë zhvilluar në përgjithësi një luftë të drejtë çlirimtare kundër makinerisë ushtarako-policore  e vrastare  të pushtuesit shumë-shekullor, pra  të Serbisë.

Pasur parasysh situatat e këtilla si dhe sfidat politike me të cilat është duke u ballafaquar vendi ynë, në këtë periudhë të tranzicionit dhe të integrimeve, kërkohet nga të gjithë aktorët politikë, që të lënë anash interesat parciale politike, interesat e grupeve apo partive vet anakë dhe të kenë parasysh vetëm interesin e përgjithshëm të popullit dhe shtetit të Kosovës, ashtu siç e kishte edhe Komandanti Legjendar me bashkëveprimtarët e tij, dhe të angazhohen në gjetjen e zgjidhjes së çështjeve politike të cilat janë tejet të rëndësishme për jetën e popullatës tonë dhe funksionalitetin e shtetit tonë të ri.

Në shkurt të viti 2008  mbi sakrificën e dëshmorëve, mbi gjakun e derdhur për liri, mbi  mundin dhe angazhimin shumë shekullor të gjithë popullit tonë,  Republika e Kosovës u shpall shtet i pavarur dhe sovran, i cili duhej të krijonte edhe organet dhe institucionet e saj.

Në kuadër të krijimit të institucioneve të reja të shtetit tonë, u   themelua edhe  FSK-ja, që sot paraqet Forcën e Sigurisë të Kosovës së pavarur.

Tash në përvjetorin e 19-të të Epopesë  së lavdishme të UÇK-së,  shteti i Kosovës, pra Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në vazhdën  e angazhimit për konsolidimin e organeve të veta më vitale shtetërore, do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Që ky transformim  është detyrë mbi detyrat e klasës tonë politike e dëshmon edhe votimi unanim kohë më parë i Rezolutës për  FSK-në, nga deputetët e kuvendit të Kosovës, i cili votim u bë pas debatit disa orësh lidhur me mandatin e ri të FSK-së.       

Forcat e Armatosura të  Kosovës, përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektiv tjetër madhor do të kenë edhe  anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme jo vetëm të Evropës, por edhe më gjerë.

Ngritja e shtyllës kryesore të shtetësisë së Kosovës, pra themelimi i Forcave të Armatosura, paraqet plotësimin e një dëshire tjetër të popullit të Kosovës, dëshire të Komandantit Legjendar Adem Jashari si dhe të Presidentit Historik të Kosovës Ibrahim Rugovës.

Shteti dhe Qeveria e Kosovës, përmes krijimit të Forcave të Armatosura dhe aktorëve tjerë të sigurisë,  do të ngritin  shkallën e sigurisë së vendit, në nivel të tillë,  ku të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të ndihen të lirë dhe të barabartë, pa dallim të përkatësisë etnike, religjionit, racës apo bindjeve politike, sepse ne jemi duke ndërtuar një shtet demokratik, me vlera civilizuese perëndimore. Pra thjesht Forcat e Armatosura do të jenë të të gjithëve dhe për të mirën e të gjithëve.

Mirëpo,  Qeveria e Kosovës dhe klasa e saj politike  do të përmbushin edhe obligime të tjera për popullin dhe shtetin e Kosovës.

Konkretisht do të angazhohemi për  ndërtimin dhe sforcimin e shtetit bashkëkohor të Kosovës, pra për ndërtimin e një shteti ku sundon ligji, shtet i cili iu ofron  të gjithë qytetarëve e në veçanti të rinjve, një perspektivë të ndritshme ekonomike, sociale, arsimore, kulturore si dhe mirëqenie të tërësishme.

Pra do të punojmë për të ndërtuar shtetin që do të plotësojë kriteret dhe standardet për anëtarësim në Aleancën Veri Atlantike të NATO-së dhe integrime të tjera euro-atlantike, ku do të  bashkëveprojë  me SHBA-të dhe aleatët tjerë që përkrahën çlirimin dhe ndërtimin e shtetit tonë.

Në fund duhet thënë, se ndërtimi i shtetit të tillë të Kosovës, si një shtet i lirë i pavarur dhe demokratik, paraqet realizimin  më të mirë të ëndrrës së Komandantit tonë Legjendar, të gjithë dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe luftëtarëve të lirisë.

Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve  të tij.              

Lavdi Familjes së madhe Jashari.       

Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Kombit.

Ju faleminderit!

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31

KOSOVO IN UNESCO