Ministri i MFSK-së, Haki Demolli pritet me nderime ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë nga ministrja Mimi Kodheli

Nënshkruhet Plani i Bashkëpunimit dypalësh për vitin 2017 në mes MFSK-së dhe MMRSH-së

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës, z. Haki Demolli, u prit sot me nderime të larta ushtarake në vizitë zyrtare në Tiranë, nga ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli.
 
Të dy ministrat fillimisht, diskutuan për çështje të interesit të përbashkët dhe për Planin e Bashkëpunimit Dypalësh në mes të Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë.
 
Gjithashtu, Ministri Demolli dhe ministrja Kodheli, biseduan edhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në Republikën e Kosovës dhe në veçanti për situatën e krijuar në kufijtë veriorë të saj. Në takim u fol gjithashtu edhe për dyfishimin e numrit të ushtarakëve shqiptarë që janë pjesë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.
 
Po ashtu, në takim u bisedua edhe për vizitën e fundit të z. Stoltenberg, respektivisht sekretarit të NATO-s që i bëri Kosovës, ditët e kaluara, ku u theksua nga ana e z. Stoltenberg përkrahja e vazhdueshme, të cilën po jep NATO në sigurimin e paqes në Kosovë dhe u theksua se edhe në të ardhmen trupat e KFOR-it do të qëndrojnë dhe do t’i ofrojnë një siguri të plotë Republikës së Kosovës.
 
Pas takimit mes dy ministrive u firmos edhe Plani i Bashkëpunimit Dypalësh për vitin 2017, i cili fokusohet në stërvitjet dhe trajnimet e përbashkëta.
 
Nga ana e tij,  Ministri Haki Demolli, para medieve në Tiranë, tha se ka falënderuar ministren e Republikës së Shqipërisë shtet, i cili në vazhdimësi është duke përkrahur paqen dhe sigurinë në Kosovë si edhe është duke përkrahur zhvillimin dhe avancimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Më tej, Ministri Demolli tha se: ,,Qëllimi kryesor i vizitës sonë respektivisht edhe i këtij takimi ishte analizimi dhe vlerësimi i bashkëpunimit të deritanishëm dhe sidomos ishte mundësia e identifikimit të këtij bashkëpunimi për çka të dy palët u pajtuan që edhe në vitet e ardhshme, duke filluar nga viti 2017 e tutje këtë bashkëpunim ta zhvillojmë në të gjitha segmentet e mundshme.
 
Në fund, ministri i FSK-së, zotëri Haki Demolli tha se bashkërisht konstatuam që grupet bashkëpunuese të dy ministrive edhe gjatë vitit 2016, kanë realizuar dhe përmbushur të gjitha aktivitetet e planifikuara në planin e veprimit të vitit 2016 si dhe u pajtuam dhe e nënshkruam planin e veprimit për vitin 2017, ku me detaje parashtrohen aktivitetet ndërmjet dy ministrive.
 
Në përfundim të takimit para përfaqësuesve të mediave, ministrja Kodheli, tha: “me ministrin e Forcës së Sigurisë të Kosovës z. Haki Demolli, zhvilluam një bisedë lidhur me marrëdhëniet dypalëshe, lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor dhe sigurisht me gjithë problematikën e këtyre ditëve të fundit që lidhen ngushtësisht me të ardhmen tonë të përbashkët, me të ardhmen euroatlantike të Kosovës, padyshim me të ardhmen evropiane të Shqipërisë, me forcimin e marrëdhënieve për sa i përket sigurisë së kufijve, sigurisht qytetarëve, qofshin këta të Shqipërisë apo Kosovës.
 
Shqipëria në fakt, shtoi zonja Kodheli, ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe padyshim në mënyrë të veçantë, situatën e krijuar në kufijtë veriorë të saj. Historia e Kosovës ka qenë dhe mbetet një histori suksesi e botës demokratike dhe në mënyrë të veçantë e Aleancës së Veriut. Konsolidimi i shtetit të Kosovës dhe paprekshmëria e kufijve kushtetues është në fakt prioritet i axhendës sonë të përbashkët dhe ishte, le të themi, ajo çka në mënyrë eksplicite u bisedua midis nesh dy delegacioneve.
 
Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, zonja Mimi Kodhelin ë fund tha se ,,me ministrin Demolli biseduam edhe për bashkëpunimin dypalësh, i cili tashmë është konkret, i hapur dhe i zhveshur nga çdo procedurë burokratike. Kemi firmosur planin e Bashkëpunimit për vitin 2017, me synim që aktivitetet e përbashkëta të fokusohen sidomos në stërvitje e trajnime të përbashkëta. Programet mësimore ushtarake të të gjitha niveleve, janë plotësisht të hapura për personelin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe marrëdhënia në këtë fushë ka qenë absolutisht frytdhënëse dhe e shkëlqyer’’.
 
Pjesë e delegacionit të ministrit, gjatë vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë ishin edhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Sylë Ukshini, Sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, Shkelzen Sylaj, drejtori i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në MFSK, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, atasheu i Mbrojtjes nënkolonel Enver Dugolli, nënkolonel Ali Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për bashkëpunim e Siguri në MFSK, si dhe shefi i kabinetit të Ministrit Demolli, zotëri Latif Leka.
 

Kalendari

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
  1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30

KOSOVO IN UNESCO