Nënshkrimi i marrëveshjes në mes MFSK-së dhe Hekurudhave të Kosovës
Sot me datën 28 janar 2010 u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Hekurudhave të Kosovës
Duke u bazuar në gatishmërinë e dy palëve për zhvillimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe vazhdimin e aktiviteteve me interes të përbashkët në fushën e sigurisë; Sekretari Permanent i Ministrisë së Forcës se Sigurisë, z. Shkëlzen Syla dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës z. Xhevat Ramosaj nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët do të bëhet në këto drejtime: MFSK-ja, përkatësisht Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme, sipas mandatit të saj, që të reagojë dhe ndihmojë menjëherë, sipas kërkesës së Hekurudhave të Kosovës, në rast të ndonjë fatkeqësie elementare, siç janë aksidentet e mëdha, tërmetet, vërshimet, bora e madhe, për evitimin e pasojave dhe sanimin e gjendjes.
Ndërsa Hekurudhat e Kosovës iu mundësojnë të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, që në të gjithë trenat e udhëtarëve, të udhëtojnë pa pagesë për shkuarje-ardhje në punë, apo për udhëtimet zyrtare të tyre.
Po ashtu Hekurudhat e Kosovës, në rastet e veçanta, i mundëson Ministrisë së Forcës së Sigurisë, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës shfrytëzimin e trenit me çmime më të ulëta dhe çmim të arsyeshëm edhe për ndonjë kërkesë speciale, të cilën mund ta ketë MFSK-ja.
