Pritja e delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes nga Republika e Shqipërisë
Prishtinë, 28 janar 2010
Ministri FSK-së Fehmi Mujota së bashku me bashkëpunëtorë priti sot në MFSK një delegacion të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë të kryesuar nga z. Idriz Konjari Drejtor i Departamentit për Integrime Euro-Atlantike dhe Politika ë Mbrojtjes, i shoqëruar edhe nga oficerë dhe zyrtarë tjerë të lartë.
Ministri Mujota i njoftoi mysafirët nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë me zhvillimet dhe të arriturat njëvjeçare në FSK, për detyrat dhe sfidat që e presin ministrinë dhe FSK. Me theks të veçantë u bisedua për fillimin e angazhimeve për përgatitje të veprimeve të nevojshme për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të dy ministrive.
Po ashtu u diskutua edhe për nevojat e ndihmës në nivelet e ndryshme të trajnimit në FSK-së e që do të mund të përcaktoheshin edhe si fusha bashkëpunimi. Me këtë rast u fol edhe për detyrat dhe angazhimet e ardhshme për të arritur kapacitet e Plota Operacionale të FSK-së. Ministri Mujota falënderoi dhe çmoi lartë edhe punën e oficerëve shqiptarë që janë duke shërbyer në MFSK si pjesë e Ekipit të Këshilltarëve të NATO-s.
Nga ana e tij zoti Idriz Konjari shprehu falënderimet për angazhimin dhe kontributin e dhënë nga Njësia e FSK-së me rastin e vërshimeve të mëdha në Rrethin e Shkodrës. Po ashtu zoti Konjari i dorëzoi Ministrit Fehmi Mujota një Letër Falënderimi të Ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë z Arben Imami, në të cilën shprehen konsideratat e larta për gatishmërinë për të ndihmuar, angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë të pjesëtarëve të FSK-së, duke shprehur falënderime personalisht ministrit Mujota dhe njësisë që ka operuar në Shkodër.
Ministri Imami në letër e vlerëson këtë ndihmë edhe si dëshmi të gatishmërisë së zhvillimit të bashkëpunimit me të gjerë në mes të dy ministrive.

